Shteti pritet t’ia kompensojë 95 mijë euro familjes së Diana Kastratit, Jahjaga i gëzohet këtij vendimi

0

Ish presidentja Atifete Jahjaga,  ka mirëpritur vendim e Gjykatës Themelore në Prizren, ku kjo e fundit ka marr vendim që të detyrojë shtetin e Kosovës t’i paguaj kompensim familjarëve të Diana Kastratit.

Jahjaga në një postim në llogarinë e saj në Facebook iu ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse që në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar të gjejnë vrasësin e Dianës.

“Gjykata Themelore në Prizren paska korrigjuar gabimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me vendimin që shteti t’i paguajë dëmshpërblim familjes të së ndjerës, Diana Kastrati, për shkak të neglizhimit të rastit të saj.

Mirëpres këtë vendim dhe u bëjë thirrje autoriteteve përgjegjëse që, në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtar, ta gjejnë vrasësin e Dianës dhe ta ekstradojnë atë në Kosovë për të marrë dënimin e merituar.

Shpresoj se për rastet e raportuara të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, institucionet e drejtësisë të mos kenë nevojë ta korrigjojnë njëri-tjetrin, por të veprojnë me kohe!

Mbrojtja nga dhuna është e drejtë bazike e secilit qytetar të Kosovës dhe duhet të garantohet si e tillë”, ka shkruar Jahjaga.

Lidhur me këtë rast Afërdita Kicaj, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prizren, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se shuma që do t’i kompensohet familjes është në vlerë 95 mijë euro.

“Gjykata Themelore e Prizrenit e ka gjetur përgjegjëse dhe e ka detyruar të paditurën Republikën e Kosovës, e cila është përfaqësuar nga avokatura shtetërore, që paditësve Gëzim Kastratit dhe Makfire Kastratit, të iu kompensohet në emër të dëmit material dhe jo material shuma e përgjithshme prej 95 mijë euro, në emër të dhimbjeve shpirtërore, si rezultat i humbjes së personit të afërt të familjes. Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës në afat prej 15 ditësh, pas marrjes së të njëjtit nga Gjykata e Apelit në Prishtinë nëpërmjet kësaj gjykate”, ka thënë ajo./Telegrafi/


SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakBekë Berisha kritikon nivelin lokal në komunën e Istogut
Artikulli tjetërBekë Berisha anëtarësoi 50 anëtarët e rinjë në AAK