Shoqëria civile vlerëson transparencën e KPK-së në procesin e hartimit të Rregullores për emërimin e kryeprokurorëve

0

Komisioni për Çështje Normative i Këshillit Prokurorial të Kosovës ka mbajtur dëgjim publik me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave, lidhur me draftin e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës.

Në këtë takim, përveç anëtarëve të Komisioni për Çështje Normative, ka marrë pjesë edhe Kryesuesi i KPK-së Bahri Hyseni, përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Ambasadës Britanike dhe të UNDP-së.

Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, në hapje të këtij dëgjimi publik tha së KPK e ka parë si të nevojshme organizimin e takimeve të tilla të dëgjimit publik, në rastet kur janë duke u nxjerrë rregullore të veçanta. “Rregullore e rëndësisë së veçantë konsiderohet edhe rregullorja për të cilën është thirrur dëgjimi publik, pasi që përmes saj përcaktohet i gjithë procesi i emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive tjera”, tha ai.

Sipas kryesuesit Hyseni përzgjedhja e këtyre pozitave është e një rëndësie shumë të veçantë ku synohet që të aplikohen standardet dhe kriteret më transparente të cilat ndikojnë gjithësisë në përzgjedhjen mbi vlerat e meritokracisë.

Me tej, kryesuesi Hyseni tha se pjesë e hartimit të kësaj rregulloreje do të jenë edhe shoqëria civile dhe mediat, përmes kontributit që do ta japin me komentet dhe sugjerimet që kanë lidhur me drafin e rregullores.

Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Zejnullah Gashi, tha se rregullorja në fjalë është draftuar përmes një procesi të hapur dhe transparentë, ku partnerët ndërkombëtar kanë dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm dhe propozimet e tyre janë inkorporuar në këtë draft. “Tani përmes kësaj forme të dëgjimit publik, ne po presim që të marrim edhe propozimet nga ju si shoqëri civile, në mënyrë që t’i analizojmë bashkërisht këtu dhe ato të cilat janë kompatibile me rrethanat ligjore dhe në të mirë të procesit, do i harmonizojmë dhe inkorporojmë brenda draftit”, tha ai.

Ndërsa, përfaqësuesit e shoqërisë civil e përgëzuan Këshillin Prokurorial të Kosovës për këtë organizim dhe thanë se kjo është qasje e re dhe është hera e parë që sistemi prokurorial e përdorë këtë formë të bashkëpunimit me publikun. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë se si bashkëpunohet me shoqërinë civile dhe publikun për të siguruar transparencën e nevojshme në proceset e rëndësishme që zhvillohen në sistemin prokurorial të Kosovës.

Pas diskutimeve të zhvilluara dhe analizave të bëra në këtë takim të dëgjimit publik lidhur me draftin e Rregullores për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës, pati pajtim të përgjithshëm që rekomandimet dhe sugjerimet e dala nga ky dëgjim publik, e të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, por edhe që  janë në të mirë të procesit, do të harmonizohen dhe inkorporohen brenda draftit të rregullores së lartcekur.   kpk

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakPërkujtohen dëshmorët në përvjetorin e rënies
Artikulli tjetërJuniku- protestë për ERENIKUN