12 vjeçari nga Mitrovica, gjeniu i pajisjeve elektronike

0

Është vetëm 12 vjeçar, por ka një talent të madh. Arbër Sahiti nga Mitrovica, ka aftësi të veçantë në përdorimin e teknologjisë. Me pajisje shtëpiake, Arbri ka arritur të bëjë disa prodhime interesante dhe shumë funksionale. Kërkohet që shteti ta përkrah këtë talent.

Arbër Sahiti shumë pajisje me energji elektrike ka arritur t’i realizoj vet.  12 vjeçari nga Mitrovica prej moshës 10 vjeçare ka filluar të ndërtojë pajisje të ndryshme në kushte shtëpiake.

“Së pari kur kam filluar të punojë e kam parë babin si po punon, dhe më është dukur shumë interesant. Kam vendosur edhe unë të punoj gjëra. Për herë të parë kur e kam provuar më ka zënë rryma, dhe e kam pyetur babin nëse mundet të më ndihmojë. Ai më ka ndihmuar dhe i kam tejkaluar ato probleme”, shprehet për RTV Dukagjinin, talenti Arbër Sahiti.

Në pamundësi të blejë pajisje të reja, Arbërit i duhet që punojë më pajisje të vjetra, por kjo aspak nuk ia zbeh pasionin që ka për këtë fushë.

“Kam dëshirë të punoj akoma më shumë. Dua të studioj në Amerikë dhe të bëhem një shkencëtar”, thotë Arbër Sahiti, përcjell Telegrafi.

Ai ka arritur që të realizojë edhe mikrofon përgjues që mund të marr zërin nga një distancë e largët në komunikimin mes dy personave.

Për talentin e tij, dinë edhe mësuesit, por kërkojnë që shteti ta përkrahë.

“Ky fëmijë, më vjen shumë keq që është pjesë e kësaj Kosove. Dhuntitë e tij që ka për pak kohë kanë me iu shua, sepse nuk ka kush ta përkrahë. Po të ishte në vendet perëndimore ky fëmijë do të kishte arritur shumë”, shprehet arsimtari Xhemshit Smajli.

Arbër Sahiti është nxënës i klasës së gjashtë në Shkollën fillore “Skënderbeu” në Mitrovicë.