Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është nderuar me çmimin “Udhëheqësi më i mirë i Evropës Juglindore për mbështetjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet digjitalizimit”.
Ky çmim iu nda nga Forumi Botëror i Investitorëve “World Business Angels Investment Forum”, (WBAF) që kë vit punimet i mbajti në Stamboll të Turqisë.
Në garë për këtë çmim ishin konkurrente me Kosovën disa vende të Evropës Juglindore, përfshirë Serbinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë, por bordi i Forumit kanë vlerësuar kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Republikën e Kosovës me vizionin më të qartë për zhvillimin e inovacionit dhe ekonomisë nëpërmjet digjitalizimit.
“Zonja dhe zotërinj, Forumi Botëror i Investitorëve është krenar për të njoftuar Shkëlqesinë e tij Z. Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës si fitues i çmimit për Udhëheqësin më të Mirë të Evropës Juglindore në mbështetje të zhvillimit ekonomik përmes digjitalizimit. Është nder ta prezantoj këtë çmim për Kryetarin e Kuvendit të Kosovës i cili ka dhënë kontribut të çmuar dhe vizion të qartë si lider për mbështetjen e ideve dhe projekteve inovative në Kosovë”, u tha në prezantimin e çmimit për Kryeparlamentarit Veseli.
Pasi mori çmimin para më shumë se 200 investitorëve globalë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme, Kryeparlamentari Veseli tha se këtë çmim ia dedikon rinisë inovatore të Kosovës.
“Për vetëm 20 vjet kemi arritur të shndërrohemi nga një popull i të mbijetuarve në një popull të inovatorëve. Shteti jonë ashtu si dhe bota në përgjithësi sot më shumë se kurrë ka nevojë për shpirtin ndërmarrës dhe inovator. Unë do të jem gjithmonë aty për ta ndihmuar rininë e vendit tim për ta zhvilluar shtetin tonë”, ka deklaruar kryeparlamentari Veseli.
Ai ftoi investitorët e pranishëm në këtë Forum që të vizitojnë Kosovën dhe të shohin potencialet e shumta që ka vendi për investime në fusha të ndryshme, duke i siguruar se do të gjejnë bashkëpunëtorë të denjë në shtetin më të ri në Evropë. /Telegrafi/