Promovohet Strategjia rajonale për siguri dhe shëndet në punë

0

Me “Strategjinë rajonale për siguri dhe shëndet në punë për vendet e Ballkanit Perëndimor” synohet mbrojtja e të punësuarve dhe zvogëlimi i rreziqeve në punë.

Kështu u tha me rastin e promovimit të kësaj strategjie nga Organizata Kosovare për Siguri dhe Shëndet në Punë (KOSHA).

Në emër të organizatës, profesori universitar, Agim Shaqiri, tha se Kosova ka rreziqe të mëdha në ndërtimtari, e për këtë sipas tij, përmes një strategjie për siguri dhe shëndet në punë, mund të parandalohen rreziqet.

Ai bëri të ditur edhe objektivat kryesore të kësaj strategjie teksa shtoi se qëllimi kryesor i strategjisë është lehtësimi i sfidave më të cilat punëtorët përballen çdo ditë.

“Qëllimi gjatë gjithë kohës është që ta sensibilizojmë këtë fushë që sa është aktuale, është edhe sensibile, sidomos për Kosovën, ku çdo ditë ballafaqohemi me fatkeqësitë të cilat ndodhin jo për faj të punëtorëve, por për faj të dikujt tjetër, disa akterizmave të cilët ne sot mundohemi t’iu japim një ndihmë profesionale, që sa dokudo të dëgjohet zëri i jonë, zëri i ekspertëve, zëri i akterëve, sa më shumë në këtë fushë. Në këtë projekt regjional kanë marrë pjesë Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Bartës kanë qenë organizatat civile”, tha Shaqiri.

Shaqiri u tregua kritik për mediat, për të cilat tha se siguria e shëndetit në punë nuk përbën lajm, pasi lajm për gazetarët sot është vdekja në vendin e punës.

“Ne kemi mbajtur kumedit sa tubime të tilla sektoriale, asnjë gazetari nuk i ka interesuar. Për ta kjo nuk është lajm, lajm është kur vetëvritet punëtori. Ajo është lajm. A ajo që ne mundohemi të mos vritet, nuk është lajm. Kjo është tragjedia jonë. Neve sot në Kosovë, kemi krijuar çdo potencial legjislativ, kapacitet institucional. Kemi rritur akterizimin për shkollat në Kosovë, për sigurinë dhe shëndetin në punë. Sot kemi ekspertët, shoqatat, kemi institucione, subjekte juridike të licencuara. Akterizimi është rritur, por në qoftë se rritet akterizmi, duhet edhe rezultatet të na tregojnë diçka pozitive. Ky është qëllimi jonë, që të gjithë së bashku të krijojmë një fuqi”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Shoqatës Kosovare për Shëndet në Punë, Fatmir Saraçini, ka bërë të ditur se promovimi i “Strategjisë rajonale për siguri dhe shëndet në punë për vendet e Ballkanit Perëndimor” është rezultat i një projekti afatgjatë me vendet e tjera si: Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. /KP/Telegrafi/