Mediat serbe: Marrëveshja Kosovë-Serbi deri në fund të vitit, por me një kusht

0

Mediat serbe shkruajnë se në takimin e liderëve të rajonit me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron në Paris, më 1 korrik do të mund të formulohet një kornizë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ndërsa propozimi final do të duhej të miratohej deri në fund të vitit.

Nëse do të realizohej një skenar i tillë, referendumi në Serbi lidhur me Kosovën do të mund të mbahej në pranverën e vitit 2020, së bashku me zgjedhjet e rregullta parlamentare serbe.

Një opsion të tillë, siç shkruan gazeta serbe “Blic”, kanë konfirmuar për këtë medium burime të ndryshme nga qarqet diplomatike.

Mirëpo, një skenar i tillë do të jetë i mundur vetëm nëse ndodhë takimi i Parisit.

Siç është spekuluar kohët e fundit, kancelarja Merkel dhe presidenti francez Macron kanë mospajtime rreth asaj se si të zgjidhet presidenti i ri i Komisionit Evropian, por edhe rreth asaj se kush do të jenë kandidatët për institucionet evropiane. Edhe pse në opinion duan të lënë përshtypjen se çdo gjë është në rregull dhe se nuk ka mosmarrëveshje, burime të afërta me të dyja palët konfirmojnë se ka pasur një ftohje në raportet mes dy figurave më të fuqishme politike evropiane, shkruan gazeta beogradase.

“Në qoftë se vjen deri te takimi i 1 korrikut në Paris, gjë që nga perspektiva e sotme duket shumë larg dhe i pasigurt, atëherë mund të presim që atje të formulohet një kornizë apo platformë, e cila duhet të shërbejë si një pikënisje për një zgjidhje përfundimtare të problemit”, i ka thënë gazetës beogradase një burim diplomatik, përcjell Telegrafi.

Të gjitha palët e interesuara do të merrnin një kornizë, e cila pastaj do të harmonizohej.

“Pastaj të dyja palëve do t’u jepej kohë prej disa muajsh, apo më shumë, për të negociuar atë çfarë shkruan në atë dokument themelor, të ndryshojnë ndonjë pjesë, të fusin detaje të reja dhe të harmonizojnë draftin përfundimtar për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe me atë dokument të dalin përpara qytetarëve të tyre”, citohet të ketë thënë burimi diplomatik.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se ende nuk e di nëse ata do të ketë takim të Parisit, për shkak të konsultimeve të kancelares Merkel dhe presidentit Macron me amerikanët.

“E di se ata flasin me njëri-tjetrin dhe ata e dinë se nuk duhet të lejohet që Parisi të jetë një katastrofë. Nëse shihet se po shkohet në atë drejtim, kush e di nëse do të ndodhë takimi i Parisit”, tha Vuçiq.

Presidenti Vuçiq ka përsëritur se pozicioni i Beogradit do të jetë i qartë në Paris, i pandryshueshëm dhe absolutisht racional dhe i arsyeshëm – që Prishtina të heqë taksat për mallrat serbe, në mënyrë që të shkohet në dialog, në përpjekje për të arritur një kompromis.

“Por, për të arritur një kompromis, siç do të thoni ju: “Kosova është në brenda këtyre kufikve”, unë do të përsëris të njëjtën fjali: Unë mendoj se Kosova është pjesë e Serbisë, ju se është e pavarur, dhe çfarë të bëjmë atëherë? Pasi të gjithë në botë po bëhen sikur nuk dinë, kur e dëgjojnë këtë. Nuk ka problem – mundemi edhe ne ta bëjmë këtë, edhe pse kjo nuk na konvenon neve dhe rritjes sonë të përshpejtuar”, ka thënë Vuçiq.

Sipas parashikimeve më optimiste, në qoftë se në korrik krijohet korniza, deri te harmonizimi përfundimtar do të mund të vijë deri në fund të vitit, dhe në qoftë se kjo do të ndodhë, atëherë së bashku me zgjedhjet e rregullta parlamentare të planifikuara për pranverë, do të kishte një referendum në të cilin qytetarët në Serbi do votonin për propozimin rreth Kosovës.

Dragan Gjukanoviq, nga Qendra për Politikë të Jashtme, i ka thënë “Blicit” se pajtohet që më 1 korrik në kryeqytetin francez mund të arrihet një kornizë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Ai tha se nuk është shumë e preferuar të flitet për afatet e arritjes së zgjidhjes përfundimtare.

“Si një afati optimal ende mbetet fundi i vitit 2019, por kemi parë se në gjysmën e parë të këtij viti nuk është bërë pothuajse asgjë. Prandaj nuk është mirë të spekulohet me data dhe afate kohore”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Në pyetjen nëse kjo do të thotë kjo se qytetarët në vendvotime do të mund të votojnë në të njëjtën kohë për deputetët në Kuvend dhe të deklarohen në referendum për Kosovën, Gjukanoviq tha se “nuk e përjashton këtë mundësi.”

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Perëndimi ka tri pikëpamje të mundshme mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës, kurse rusët të katërtën.

“T’ua them të vërtetën, as fuqitë perëndimore nuk po mund të bien dakord çfarë të bëjnë me Kosovën. As ata vetë nuk e dinë çfarë duan. Kur i pyes çfarë duan, ata nuk e dinë. Ekzistojnë tri pikëpamje për këtë çështje, të cilat janë të ndryshme, kurse rusët madje të katërtin [qëndrim për Kosovën]. Fuqitë perëndimore  nuk kanë ide se çfarë të bëjnë me këtë çështje”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Serbia do të jetë fajtori kryesor nëse nuk do të zhvillohet takimi në Paris.

Ai tha se nuk e përjashton mundësinë që samiti i paralajmëruar të mos mbahet, por thotë se nuk do të jetë faji i Prishtinës, por i Beogradit, për shkak se e kushtëzon vazhdimin e dialogut.

Qëndrimi i Beogradit, është se nuk ka vazhdim të dialogut pa heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakIsa Mustafa nuk u ftua në manifestimet për Ditën e Çlirimit
Artikulli tjetërAksident me fatalitet në rrugën Prekovc-Llabjan, humb jetën një person