Emërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga ana e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka nxitur reagime të shumta të partive politike.
Në KQZ asnjë anëtar i koalicioni PAN nuk është dekretuar. Ngjashëm është vepruar edhe PSD-në dhe AKR-në.
Përfaqësues nga këto parti kanë dhënë shenja që ky koalicion mund të shkoj në ndarje dhe si pasoj e kësaj të ketë edhe zgjedhje të reja në vend.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se KQZ-ja këtë vit nuk është e përgatitur për zgjedhje.
Ajo thotë se në rast se ndodh të ketë zgjedhje duhet të kërkohet buxhet shtesë nga Qeveria.
“Për ne si KQZ ky vit është vit jo zgjedhor dhe natyrisht se ne nuk kemi planifikuar buxhet për këtë vit dhe as nuk kemi kërkuar, në rast se ndodhin zgjedhjet natyrisht se KQZ-ja kërkon nga Qeveria buxhet shtesë”, tha Daka.
Daka tha se janë edhe dy anëtar të cilët nuk janë të emëruar.
Ajo tha se kjo është në dorën e presidentit që t’i emërojë, por e rëndësishme sipas saj është se për momentin KQZ-ja tashmë është funksionale.
Ajo tha se është pro ndryshimit të disa prej çështjeve teknike në procesin e votimit të zgjedhjeve siç është votimi me kusht i cili thuhej se ishte i panevojshëm, por kjo mund të rregullohet vetëm me reformë zgjedhore.
“Ndryshimet ligjore mund të bëhen vetëm me reformë zgjedhore dhe atëherë kur Kuvendi i aprovon ato ndryshime, janë disa çështje teknike të cilat unë kisha pas dëshirë që të ndryshohen në ligjin për zgjedhjet, por natyrisht nëse nuk kemi reformë zgjedhore ato ndryshime nuk mund të ndodhin”, tha ajo.
Daka tha se pret të ketë reformë zgjedhore, por që janë institucionet relevante ato të cilat vendosin. Ajo tha se ka shenja pozitive sa i përket kësaj çështje.