Veç Prishtinës, Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë edhe ankesën për parregullsi në zgjedhjet lokale në Istog.
Si rrjedhojë, ankesa e ish-kandidatit të AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj është vlerësuar si e pabazuar.
Këtë e ka bërë të ditur Gjykata Kushtetuese nëpërmjet një komunikate për media, transmeton Telegrafi.
“Prandaj, Gjykata konstaton se vendimet e kontestuara të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme janë në pajtim dhe të përcaktuara me ligj, të arsyetuara dhe se të njëjtat nuk janë arbitrare ose qartazi të paarsyeshme. Është çështje tjetër nëse dispozita e lartcekur ligjore është në pajtim me Kushtetutën ose jo. Për këtë çështje, Gjykata që në fillim deklaroi se korniza ligjore e cila rregullon të drejtën zgjedhore në Republikën e Kosovës nuk është objekt i shqyrtimit në këtë rast”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.Lexo po ashtu:
Vitin e kaluar, ankesa e Gani Dreshajt, ish-kandidat për kryetar të Istogut, u refuzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe nga Gjykata Supreme.
Sipas tij, shkeljet kryesisht kishin të bënin me votat e të paktën pesëdhjetë e dy qytetarëve të cilat nuk janë numëruar pasi që këta qytetarë kishin arritur moshën madhore pas përditësimit të listës Përfundimtare të Votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me datën 22 shtator 2017.
Kundërkandidat i Gani Dreshajt në zgjedhjet lokale ishte Haki Rugova, i cili pas vendimit të Kushtetueses do të vazhdojë ta mbajë këtë post.