AKUZOHEJ PËR PASTRIM PARASH NË VLERËN E 1.2 MILION EUROVE- ISH GJYKATËSI KOLË PUKA DËNOHET ME NJË VIT BURGIM

0

Ish-gjykatësi Kolë Puka, që akuzohej për pastrim të parave është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është dënuar me një vit burgim dhe me 3.000 euro gjobë.

Kryesuesja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, në shpalljen e aktgjykimit deklaroi se Puka, është gjetur fajtor se gjatë viteve 2002 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme.

Në aktakuzë thuhet se Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe, në Mal të Zi kishte blerë dy parcela, ndërsa në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, kishte blerë një apartament.

Ndryshe, Puka në seancën e 4 dhjetorit ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për pastrim të parave dhe e kishte shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje.

Po ashtu, në këtë seancë, gjykatësja Kuka-Mekaj tha se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte bërë precizimin e aktakuzës në këtë rast, sipas vërejtjeve që kishte dhënë Gjykata Supreme në vendimin e saj, ashtu që nga aktakuza janë hequr patundshmëritë e blera nga i akuzuari para vitit 2004.

Ndryshe, ish-gjykatësi Puka më 28 qershor të vitit 2017, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me katër vite e gjashtë muaj burgim efektiv, 5.000 euro gjobë dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet, për veprat penale “nxjerrje e paligjshme e vendimeve gjyqësore”, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe “pastrim i parave”, ndërsa ishte liruar për “shmangie nga tatimi”.

Këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në pjesën më të madhe të tij e kishte vërtetuar edhe gjykata e shkallës së dytë, e cila të akuzuarit i kishte shqiptuar një dënim më të butë, ashtu që të akuzuarin Puka e kishte gjykuar me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 3000 euro gjobë.

Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës, në seancën e kolegjit, të mbajtur më 15 maj 2018, ka miratuar pjesërisht kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të mbrojtësit të të dënuarit Kolë Puka, dhe ka anuluar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, vetëm përkitazi me veprën penale pastrimi i parave dhe çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë në rivendosje.

“Pjesa tjetër e aktgjykimit është ndryshuar vetëm përkitazi me dënimin e shqiptuar, ashtu që për veprën penale nxjerrja e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore nga neni 432 të KPRK-së, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti e 6 (gjashtë) muaj, e merr si të vërtetuar, kurse për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite, po ashtu e merr si të vërtetuar, ashtu që i shqipton dënim unik burgimi, në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Po ashtu, Gjykata Supreme ia ka zbutur dënimin ish-gjykatësit Puka për dy muaj më pak.

Ndryshe, ky proces gjyqësor zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila ishte ngritur më 29 dhjetor të vitit 2015.

Sipas pikës 3 të aktakuzës, për të cilën pikë edhe ishte kthyer lënda në rivendosje, Puka ngarkohet më veprën penale të pastrimit të parave.

Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2002 – 2008, duke qenë i vetëdijshëm që paratë ishin produkt i aktivitetit kriminal, dhe me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave në vlerë prej 1.200.000 euro, kishte blerë prona të ndryshme.

Por, me ndryshimin e aktakuzës nga prokuroria, periudha kohore në të cilën Puka ka kryer veprën penale të pastrimit të parave është konsideruar nga viti 2004 e deri në vitin 2008.

Në aktakuzë thuhet se Puka në Klinë kishte blerë dy apartamente, një lokal dhe një ndërtesë dy katëshe, në Mal të Zi, kishte blerë dy parcela, ndërsa në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, kishte blerë një apartament.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakGjykata Kushtetuese hedh poshtë ankesën e Dreshajt, Haki Rugova mbetet kryetar i Istogut
Artikulli tjetërBLAKAJ: TË MITURIT NËN MOSHËN 14 VJEÇARE PO PËRDORIN DROGË