FESTA E MOLLËS NË FUSHËMOLLË

0

   Është bërë tradicionale, e përvitshme, festa e mollës, në fshatin Fushëmollë, ish-Kovraga, në komunën e Istogut. Nën patronazhin e kryetarit të komunës, edhe në këtë tetor u organizua festa e mollës. Merrnin pjesë kryetari i komunës, Haki Rugova, me stafin e tij; shefi i Departamentit të Bujqësisë dhe të Pemtarisë, Isuf Cikaqi, me stafin e vet, të ardhur enkas  nga Prishtina; biznismeni i suksesshëm Ramiz Kelmendi; pastaj Lulzim Shehu; bujqit kultivues të mollës dhe kulturave tjera vendore; qytetarë nga qyteti dhe nga fshatrat e komunës të Istogut dhe më gjerë nga Kosova.
     Tënda e ngritur në lëndinën e mes fshatit, ishte mbushur me qytetarë. Tavolinat e koktejit, të shoqëruara me gatime tradicionale nga nuset e fshatit, ishin të begata.
     Mysafirët u pritën nga vendorët, të prirë nga kryetari i Shoqatës “Pema”, Dr. Safet Blakaj, ekonomisti Qazim Blakaj, një kultivues dhe kontribues në pemtari. Dr. Safeti është lindur dhe rritur në fshatin Fushëmollë, (Kovragë). Ai i përshëndeti dhe i falenderoi të pranishmit për pjesëmarrje masive. Ai bëri një ekspoze të veprimtarisë bujqësore në fshat, me theks të veçantë kultivimin e mollës. Me këtë kulturë të pemtarisë, identifikohet Fushëmolla dhe përfaqësohet e gjithë Kosova. 
     Kryetari i komunës të Istogut, Haki Rugova, përshëndeti qytetarët e pranishëm, në veçanti, bujqit e vyeshëm të fshatit Fushëmollë dhe ekonomistët specialistë, që kanë vënë bazën shkencore të bujqësisë dhe të pemtarisë. 
     Isuf Cikaqi, shefi i Departamentit të Bujqësisë dhe të Pemtarisë, në emër të Institucionit, përshëndeti organizatorët e festës së mollës, kryetarin e Shoqatës “Pema” Dr. Safet Blakaj dhe të gjithë të pranishmit. Ai foli për arritjet admiruese të bujqëve fushëmollas, shembull unik në tërë Kosovën.
      “I kuptoj problemet që keni ju, prodhuesit e pemtarisë, sidomos me sigurimin e ruajtjes të frutit, mungesën e magazionimit dhe të tregtimit. Do të jemi me ju dhe hallet e juaja edhe mëtej, me shpresë se do të gjejmë zgjidhje”, – tha, në mes tjerash, zyrtari ministror, Isuf Cakiqi. 
     Në vijim foli edhe biznismeni i fuqishëm Ramiz Kelmendi, duke potencuar cilësinë e mollës  të Fushëmollës. Ai premtoi për bashkëpunim me prodhuesit e Shoqatës “Pema”.
     Për të mësuar më shumë, për prodhuesit bujqësorë dhe pemtarët e vyeshëm të fshatit Fushëmollë, biseduam me kryetarin e Shoqatës “Pema”, Dr. Safet Blakaj. Ai është i specializuar për psikologji dhe terapi për drogat, me ordinancë të shtrimit ditor. Por, Dr. Blakaj nuk kufizohet vetëm në profesionin e tij. Me pasion e punë suplementare në pemtari, duke u bërë edhe vet prodhues direkt.
     Më parë se pemtarinë, kryesisht mollët, Kovraga e dikurshme, Fushëmolla e sotme, ka kultivuar patatën me shumicë.
     Fshati Fushëmollë ka 93 hektarë plantacione të mbjella me mollë disa llojesh. Ekonomisti Mustafë Blakaj, i pari e ka mbjellur mollën. Fidanët, fillimisht, janë marrë nga Instituti Bujqësor i Kosovës. Pas luftës fidanët e mollëve, janë importuar edhe nga Evropa. Së fundi, edhe nga Kroacia dhe Polonia. Prej firmave vendore, fidanët e mollëve i kultivon firma e Rexhep Shoshit nga Kashica e Istogut.
     Fshati Fushëmollë ka tri magazina të mëdha, por, jo edhe nga ato të përkryera, që mundësojnë magazinimin, ruajtjen më të gjatë të mollëve: Nazmi Blakaj, Agim Blakaj, Sadik Blakaj. Magazina të vogla, të zakonshme, kanë edhe disa prodhues më të vegjël.
     Realisht, nuk ka bujqësi, pa përpunim të frutave të kulturave bujqësore. Edhe përpunimi i mirëfilltë i mollëve mungon. Ndërkohë që nga përpunimi i mollëve, mund të dalin 45 produkte. Një prodhim më i thjeshtë nga mollët, është rakia e mollës.
     Një tjetër përdorim ka lëngu i përpunuar i mollës, i cili shërben për ta holluar lëngun e vishnjës, i cili rezulton të jetë i trashë.
     Në veprimtarinë kultivuese e përpunuese të mollës, Dr. Blakaj ndihmohet edhe nga nusja e tij e shkolluar.
     Veprimtarinë festive të vjeljes së mollëve, në fshatin Fushëmollë, të Istogut, e përcolli Radio-Televizioni “FONTANA”, përkatësisht, drejtori Zeqir Mehmetaj dhe kameromani i talentuar Endrit Mehmetaj.
     Nën tingut e muzikës festive, të përcjellur, miqësisht, nga fushëmollasit punëtorë e fisnikë, u larguam nga Fushëmolla, me dëshirën për të ardhur sërishmi, në fëstën e radhës, vjeshtën tjetër./ IDRIZ ZEQIRAJ
 

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakTë rinjtë Prishtinas bindshëm për fitore 44
Artikulli tjetërKapeshnica e Pejës më e fortë se kurrë për 44-shin