Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për peticionin që ka për qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, të cilën e ka dërguar të enjten tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Bahtiri tha se ekziston një problem pasi sipas tij “askush s’po guxon as që të marr vendim dhe të veproj”.
Sipas tij, peticionin që e ka dërguar ditë më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i është hedhur poshtë nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL).
“Problemi është që nuk po guxon askush që të merr guximin dhe të veproj. Grupet parlamentare i kam përgatitur dhe do të votohet me shumicë votash, sapo të shkoj në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ia kam dërguar parlamentit dhe ai e ka dërguar në Qeveri, e Qeveria në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL). MAPL e ka rekomanduar Kuvendin që ta hedh poshtë. Të enjten ma kanë dhënë një mundësi që ta dërgoj peticionin në Presidencë, e presidenti ta dërgoj në Kuvend”, ka thënë Bahtiri.
Ai u shpreh se çdo hapësirë që do t’i jepet për të vepruar do ta bëj, pasi siç tha ai është kërkesë e qytetarëve të Mitrovicës.
“S’do të lej gurë pa rrotulluar. Tash jam duke përgatitur t’ua dërgoj çdo grupi parlamentar. Të filloj çdo procedurë që është e nevojshme që njëherë e përgjithmonë, para se të nisin bisedimet në Bruksel, që qyteti i Mitrovicës në mënyrë ligjore të jetë i bashkuar”, theksoi ai.
Kryetari Bahtiri, po ashtu tha se nuk do të lejoj që shqiptarët të cilët jetojnë në veri të vendit të udhëheqin nga strukturat ilegale serbe.
“De facto, de juro unë s’kam kompetenca ekzekutive që të marr vendime në veri të Mitrovicës, dhe nuk do të lejoj që shqiptarët të jenë nën udhëheqjen e strukturave ilegale serbe. Çdo iniciative e kam marr në emër të qytetarëve. Kjo kërkesë është e qytetareve”, potencoi ai.
Bahtiri gjithashtu foli edhe për mbeturinat në qytetin e Mitrovicës, ku tha se qyteti ka ndryshuar dhe se janë duke e mirëmbajtur më mirë se në të kaluarën.
“Po mundohem ta bëjmë të pamundurën dhe jemi duke negociuar kontrata të reja nga Uniteti dhe do të paguhen nga qyteti. Po mendoj që ka ndryshuar, po e mirëmbajmë më mirë se që ka qenë. Çdo shtëpi e ka kontejnerin e vet, dhe çdo javë kompania shkon e merr mbeturinat. Tani jemi duke përfunduar dhe fabrikën e riciklimit dhe po bëjë kontratat e reja si aneks kontratat. I kisha lutur dhe qytetarët e Mitrovicës që ta ruajnë pastërtinë, duke gjuajtur mbeturinat në bendin e caktuar”, tha ndër të tjera, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri. /Telegrafi/