Policia e Kosovës sot ka arrestuar dy të dyshuar për veprat penale të keqpërdorimit të detyrëz zyrtare, falsifiimit të dokumenteve dhe dhënie të ryshfetit.
Njëri nga të arrestuarit është zyrtar i Universitetit të Prishtinës në Fakultetin e Inxhinierisë, i cili dyshohet se ka lëshuar certifikata false për marrjen e diplomës.
Këtë e ka bërë të ditur Policia nëpërmjet një komunikate, duke shtuar se zyrtari i UP-së për rastin në fjalë kishte marrë shpërblim prej 5 mijë eurove, transmeton Telegrafi.
“Policia, më 26.12.2018, ka pranuar një informatë nga Fakultetit i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike-Universiteti i Prishtinës, se personi i dyshuar: A.L. viti i lindjes 1982, mashkull, kosovar, shqiptar, ka dorëzuar dy certifikata të falsifikuara për marrjes e diplomës, me arsyetimin se ka përfunduar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës”, ka bërë të ditur Policia.
I dyshuari, sipas Policisë ka lëshuar dy certifikata false: atë të notave dhe tjetrën për përfundimin e studimeve.
“Pas hetimit të rastit, policia ka siguruar prova materiale se i dyshuari kryesor i rastit është zyrtari i Universitetit të Prishtinës, i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: A.J. viti i lindjes 1986, mashkull, kosovar, shqiptar. Dyshohet se i njëjti në shpërblim prej 5000 (pesë mijë) eurove, në mënyrë të kundërligjshme ia ka lëshuar dy certifikata (certifikatën e notave dhe certifikatën e përfundimit të studimeve) të dyshuarit të parë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Si prova materiale janë konfiskuar: një kompjuter edhe dy telefona celular të cilat dërgohen për ekzaminim në Agjencionin e Forenzikës.
Me aktvendim të prokurorit në Prishtinë, dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/