Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha për RTS-in se autoritetet e Kosovës duan të arrestojnë 26 polici në veri të Kosovës dhe 15 njerëz të tjerë.
Sipas tij, autoritet kosovare do të justifikohen se të arrestuarit morën pjesë në korrupsion dhe gjëra të ngjashme.
Vuçiq, gjatë një interviste dhënë mediumit serb tha se këto nuk do të jenë arrestimet e fundit në Kosovë, transmeton Telegrafi.
“Ata duan të arrestojnë 26 policë serbë në veri të Kosovës dhe 15 persona të tjerë, nën pretekstin e përfshirjes në korrupsion dhe gjëra të ndryshme. Në këtë formë, dëshirojnë që Mitrovica e Veriut të mbetet e pambrojtur dhe të jenë në gjendje të bëjnë gjëra të ndyra kundër popullit tonë”, tha Vuçiq.
Sipas tij, kosovarët dëshirojnë të realizojnë aktin përfundimtar të përpjekjes për të zotëruar plotësisht hapësirën ku jetojnë serbët në Kosovë.
“Pastaj do të thonin, ju kemi sjell para aktit të kryer, si kroatët para operacionit Stuhia”, tha i pari i shtetit serb.
Ai theksoi më tutje se Serbia ka informuar për këtë institucionet ndërkombëtare. “Se çfarë flet Kadri Veseli për Nishin, Kurshumlinë dhe gjetkë , do të ishte mirë që të vinte për vizitë dhe të na tregojë se si do t’ia arrinte. Serbia do të reagojë me maturi, por gjithashtu do të ruajë dhe mbrojë popullin e vet”, tha Vuçiq. /Telegrafi/