Zvicra do të dëbojë familjen kosovare: Por shikoni çka bëjnë fqinjët

0

Ka shumë raste kur të huajt, për shkak të mospërmbushjes së kritereve të caktuara, janë të kërcënuar për t`u dëbuar ose edhe dëbohen nga Zvicra. Por janë shumë të rralla ato raste kur qytetarë zviceranë, fqinj të migrantëve të tillë, të solidarizohen me ta. Kjo ka ndodhur me familjen Fetahi nga Kosova Lindore, me qëndrim prej 10 vitesh në komunën Wangen të Kantonit të Bernës.


Familja është e integruar mirë në komunën Wangen, ku dy djemtë janë ndjekin arsimin parashkollor. Por, Rexhep dhe Alltane Fetahi janë në një gjendje të dëshpëruar. Ata pritet të dëbohen nga Zvicra. Vetë kryefamiljari, Rexhepi, i cili vjen nga Lugina e Preshevës jeton në Zvicër nga viti 2008 ndërsa bashkëshortja e tij, Alltanja, nga Kosova, i është bashkuar në vitin 2011, shkruan blick.ch. Të dy djemtë janë të lindur në Zvicër.

Në dhjetor të vitit 2014, kur Rexhep Fetahi kishte gjashtë vite që po jetonte në Zvicër, çiftit iu mohua për herë të parë azili, transmeton albinfo.ch. Ata pastaj ushtruan kërkesë në Zyrën Kantonale për Migracion, të Bernës, që rasti i tyre të trajtohet si rast i rëndë.

Duke e lënë vendimin të varur nga pëlqimi eventual i Sekretariatit Shtetëror për Migracion (SEM), kërkesa e familjes Fetahi u miratua nga Zyra Kantonale për Migracion si rast i rëndë. Por SEM pastaj nuk e dha miratimin që nevojitej për këtë rast. Nisur nga kjo, Fetahi ka frikë nga kthimi. Atë e kërcënon burgu me shumë vite në vendin e tij të prejardhjes, thotë ai. Qeveria e Serbisë e akuzon atë se pas luftës së Kosovës ai, në anën e luftëtarëve shqiptarë për liri, ka vazhduar aktivitete luftarake.

Nga ky shkak, ekzistenca e familjes së tij në Serbi është e pamundur. Një kthim në Kosovë, që është vendi i prejardhjes i Alltanes, është po ashtu i pamundur. Duke qenë se Rexhep Fetahi nuk ka nënshtetësi kosovare, gruaja e tij “pas martesës me të është leçitur nga familja”. Veç kësaj, “klani kosovar e ka kërcënuar Fetahin me vdekje”, thotë ai, shkruan blick.ch, duke iu referuar atij si “serb”, me ç`rast e ngatërron përkatësinë e tij etnike me atë shtetërore.

Duke qenë se dëbimi i familjes Fetahi mund të ketë “pasoja me rrezik jete” dhe pasi që ajo është e integruar shumë mirë në Wangen, miqtë e tyre zviceranë, çifti Kuhle, kanë iniciuar një peticion. Atë ia drejtojnë drejtpërdrejt ministres së drejtësisë, Karin Keller-Sutter.

Çifti i përmendur e njeh familjen Fetahi nga Kisha Ungjillore Feldkirche Ëiedlisbach. Christian Kuhle nuk mundet të kuptojë se si vendimi për dëbim është bërë pas një kohe kaq të gjatë. Kjo kur dihet se Rexhep Fetahi jeton prej më shumë se dhjetë vitesh në Zvicër dhe nuk ka bërë kurrë asnjë shkelje, shkruan ai në një komunikatë.

Kuhle për blick thotë: “Shihet se familja është e dëshpëruar. Nëna pothuajse u çmend kur u erdhi vendimi. Ajo u desh madje të shkonte te mjeku dhe të merrte mjete qetësuese”.

Edhe pse nga ana ligjore është tashmë e qartë se familja duhet ta lëshojë Zvicrën, me peticion dëshirohet të bëhet së paku një përpjekje e fundit për të ndihmuar Fetahajt.

“Ne nuk mund të shikojmë indiferentë se si një familje te ne, në Zvicër, po përjeton dëshpërimin”, thotë ao.

Nëse deklarimet e familjes lidhur me rrethanat e tmerrshme në vendet e tyre të prejardhjes janë të sakta, nuk dihet. “Por ne, thjesht, u besojmë atyre”, thotë Kuhle.

Sekretari i komunës, Peter Bühler është i po këtij mendimi. Ndonëse komuna në thelb nuk kundërshton trajtimin e rastit nga kantoni dhe federata, “megjithatë nuk është në rregull që njerëzit të mbahen kaq gjatë të varur, ka thënë ai për gazetën “Berner Zeitung”.

Mbështetje për familjen ka ardhur edhe nga shkolla, nga Kisha Ungjillore dhe nga Klubi Futbollistik Wangen. Deri tash janë grumbulluar më shumë se 100 nënshkrime. Kuhle thotë: “Ne shpresojmë se gjatë ditëve në vijim do të mbledhim me siguri dyfish më shumë nënshkrime”.GazetaMetro

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakStudentët bllokojnë Fakultetin e Arteve, kërkojnë kushte më të mira
Artikulli tjetërLiberalizimi i vizave, Gjermania del pro, Franca kundër