Zgjedhjet e parakohshme, KQZ për momentin nuk ka para për organizimin e tyre

0

Legjislatura e VI-të e Kuvendit të Kosovës është shpërndarë sot në një seancë të jashtëzakonshme, e cila është mbajtur në ora 10:00.

Me 89 vota pro, një kundër dhe dy abstenime u bë shpërndarja e Kuvendit, kështu për t’i hapur rrugë krijimit të një legjislature të re.

Milaim Zeka, ishte deputeti i vetëm i cili votoi kundër shpërndarjes së Kuvendit, kurse dy deputetët e PDK-së, Ganimete Musliu dhe Zenun Pajaziti abstenuan gjatë votimit.

Ndërsa tani, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pritet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme jo më herët së 30 ditë nga shpërndarja e Kuvendit dhe jo më larg se 45 ditë nga dita e shpërndarjes, transmeton Telegrafi.S

Mirëpo, këto zgjedhje parlamentare nuk ishin të parapara që të mbahen në këtë vit kalendarik, kështu që për momentin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ka para për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Viti 2019 nuk është vit zgjedhor, prandaj në Ligjin e Buxhetit për këtë vit nuk ka mjete të planifikuara për zgjedhje. Duke u mbështetur edhe në praktikat e kaluara, pra kur kemi zgjedhje të parakohshme, KQZ-ja bën kërkesë buxhetore në Qeveri për mjete financiare për mbajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë Elezi për Telegrafin.

Elezi përmendi një rast kur zgjedhjet ishin të paplanifikuara.

“Për shembull, kështu kemi vepruar së fundmi me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave, të cilat u mbajtën më 19 maj të këtij viti. Pra, kanë qenë zgjedhje të paplanifikuara”, ka thënë ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të KQZ-së për zgjedhjet e kaluara të mbajtura në vitin 2017 janë shpenzuar rreth 5 milionë euro.

Ndërkohë të gjitha subjektet politike kanë shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, disa prej tyre edhe kanë lidhur koalicione parazgjedhore. AAK-PSD, ditë më parë kanë zyrtarizuar marrëveshjen dhe në zgjedhje pritet të garojnë me një listë të përbashkët.

Po ashtu edhe nga LDK dhe VV ka disponim që të bashkëpunojnë. Kështu kanë pohuar para disa ditësh kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i VV-së, Albin Kurti, pas një takimi që kanë zhvilluar.

Gjithashtu, këto ditë partitë politike kanë pranuar edhe anëtarë të rinj. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakPamje të tmerrshme, nxënësit në Afrikë të Jugut mbajnë radhë për tu rrahur
Artikulli tjetërAksident në rrugën Prishtinë-Ferizaj, humb jetën një 31 vjeçar