Instituti GAP ka prezantuar raportin “Ngecjet e komunave në funksionalizimin e kioskave elektronike për ofrimin e shërbimeve administrative”.
Në 19 komuna sa janë të instaluara 42 E-kioska, gjysma prej tyre janë jo funksionale, ndërsa vetëm 5 për qind prej të gjitha dokumenteve të lëshuara nga të gjitha komunat janë lëshuar nga kioskat elektronike.
Agron Demi analist politikash në GAP theksoi se reforma e digjitalizimit pothuajse nuk ka qenë prioritet as i kësaj qeverie.
“Ajo që ka ndodhur është vetëm politizim, degradim, shpenzim më të madh të buxhetit dhe nuk ka shërbime adekuate digjitale për qytetarët”, tha Demi.
Sipas tij, 10 milionë euro në vit sipas auditorit shpenzohen për blerje të pajisjeve elektronike dhe nuk janë 100 për qind funksionale.
Bekim Salihu hulumtues i lartë në GAP deklaroi se shërbimi i “E-kioskave” përveç që nuk është i shtrirë në tërë komunat e Kosovës, në 19 komuna sa kanë instaluar këto kioska, janë të vendosura 42, prej tyre janë funksionale vetëm gjysma.
Sipas tij, vetëm në komunën e Prishtinës janë funksionale të katër E kioskat sa janë të vendosura, por është një numër mjaft i vogël i dokumenteve që janë lëshuar në mënyrë elektronike. /KosovaPress