Nënkryetari i PSD-së dhe deputeti i kësaj partie, Visa Ymeri ka theksuar se gjendja në PTK është jashtëzakonisht shqetësuese
Postimi i plotë i Ymerit:
“SË SHPEJTI FILLOJMË HETIMIN PËR FAKTORËT QË PO NDIKOJNË NË SHKATËRRIMIN E TELEKOMIT TË KOSOVËS
Sot takova kryetarin e Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, dhe anëtarët e kryesisë së Sindikatës, Naim Haliti dhe Shpëtim Zharku, në kuadër të përgatitjeve për Komisionin hetimor për gjendjen në PTK. Njohuritë e Sindikatës dhe informatat nga ta për zhvillimet në Telekom do të jenë shumë të rëndësishme për punën e Komisionit hetimor.
Gjendja në PTK është jashtëzakonisht shqetësuese. Degradimi i kësaj ndërmarrje, ndër më të rëndësishmet publike të Republikës së Kosovës, ka një historik të gjatë me intensitet të ndryshëm, periudhë pas periudhe. Kontratat me palët e treta, të cilat telekomi i ka me bollëk (Z Mobile e të tjera), janë faktori që më së shumti kanë ndikuar në këtë degradim. Kur këto kombinohen me punësimin enorm nepotist, pa kurrfarë arsye e për nevoja familjare, klanore, partiake, si dhe me intervenimet qeveritare në pengimin e ndaljen e projekteve zhvilluese, atëherë rezultat i nuk mund të jetë ndryshe nga ai të cilin e kemi sot në PTK. Këto dhe faktorët e tjerë përcjellës do të jenë subjekt hetimi të Komisionit hetimor”, ka shkruar Ymeri. /Telegrafi/