Afër 6 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.
Ndonëse, ditë më parë është shpërndarë Kuvendi, Qeveria e Kosovës përkatësisht Ministria e Financave ende nuk i ka ndarë mjetet buxhetore për KQZ-në derisa të ketë një opinion këshillues nga Gjykata Kushtetuese.
Këshilltari i ministrit të Financave, Lulëzim Rafuna, thotë se zyrtarë të departamentit të buxhetit në Ministri të Financave dhe zyrtarë të KQZ-së kanë pasur takime të përbashkëta të cilët kanë harmonizuar draft buxhetin dhe shuma e mjeteve të parapara për organizimin e zgjedhjeve është 5 milionë e 894 mijë e 730 euro, por që nuk mund të alokohen këto mjete deri në dhënien e një opinioni nga Gjykatës Kushtetuese për shkak të rrethanave të krijuara me rënien e Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.
Në mbledhjen e fundit që është mbajtur nga Qeveria në largim, kryeministri në dorëheqje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për opinionin ligjor për veprimet që mund t’i marr qeveria në këto rrethanë si kryeministër në dorëheqje.
Për këtë, këshilltari Rafuna thotë mjetet janë të siguruara, por kushtetuesja nuk ka dhënë përgjigje ende.
“Mjetet si shumë nuk janë problem, mjetet janë dhe gjinden në Ministrinë e Financave në nën programin e Kontigjencës, kurse sipas nenit 15, paragrafi 2, ministri i Financave është i autorizuar në mënyrë ligjore dhe Ligji për buxhetin 2019 e autorizon ministrin e që mbi bazën e kërkesës së KQZ-së t’ia transferoj nga ky nën program mjetet në buxhetin e KQZ-së, mirëpo të gjitha veprimet janë të pezulluara deri në ardhjen e opinionit nga Gjykata kushtetuese”, deklaron Rafuna.
Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka thotë se nuk kanë kërkuar ende zyrtarisht mjete nga Ministria e Financave për mbajtjen e zgjedhje, ngaqë nuk ka datë zyrtare për mbajtjen e tyre.
Daka nuk ka treguar për shumën e mundshme të mjeteve për organizmin e zgjedhjeve.
“Jo, ende nuk kemi dërgua(kërkesë), sepse nuk mund të dërgojmë kërkesë pa e ditur datën e saktë të zgjedhjeve. Në momentin që kemi në dorë dekretin e presidentit për datën, ne do t’i drejtohemi qeverisë, institucioneve kompetente për shumën e saktë. Ne jemi në përgatitje e sipër të kërkesës buxhetore dhe me përfundimin e zgjedhjeve dihet saktë sa ka kushtuar organizimi i zgjedhjeve, por ne gjithmonë kërkojmë një shumë të përafërt për organizim të zgjedhjeve”, thotë Daka.
Profesori i të drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se pa një opinion të Gjykatës Kushtetuese dhe pa mjete të ndara prej afër pesë milionë euro aq sa kërkon KQZ-ja nuk mund të ketë zgjedhje.
Sipas Baraliut, edhe për këtë arsye dhe arsye të tjera, për të gjitha Ministritë dhe të vet kryeministrit të dorëhequr do të duhej që Gjykata Kushtetuese sa më parë ta jap një përgjigje në lidhje me pyetjen që ka bërë ish kryeministri i Republikës së Kosovës.
“Për t’i sqaruar paqartësitë që ekzistojnë në nivel të kabinetit ish qeveritar do të duhej Gjykata Kushtetuese tashmë të mos e zvarrisë një punë që bëhet shumë shpejt. Nuk është që kjo çështje është aq e komplikuar dhe kërkon vite ose muaj të tërë për t’u marrë me të. Mundet për disa ditë një gjyqtar raportues ta bëjë punën ose ta sqaroj se është e pranueshme kërkesa e ish-kryeministrit apo jo drejt Gjykatës Kushtetuese”, thotë Baraliu.
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e fundit të qeverisë ka drejtuar kërkesë pran Gjykatës Kushtetuese për të marrë opinion lidhur me çdo veprim që mund të marrë kjo qeveri në këto rrethana.
“Meqenëse është situata te baza ligjore, unë nuk e shoh zgjidhjen e bazës ligjore nga takimi me një takim politik, e di që për këtë duhet me marr një opinion prej Gjykatës Kushtetuese për shkak se ne mbajmë përgjegjësi funksionale. P.sh, ministri i Shëndetësisë mundet me pasur kërkesë për blerje të barnave me urgjencë që nuk mund të marr vendimin vet dhe nuk ka qeveri më me ia dërgua propozimin”, ka thënë Haradinaj.
Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje më 19 korrik, ndërsa Kuvendi është shpërndarë më 22 gusht, kurse së shpejti pritet që presidenti Hashim Thaçi të caktoj datën e zgjedhjeve që mund të jetë 6 tetori./kp/Telegrafi/