” Prokuroria Themelore në Prizren, reagon ndaj deklaratave të Kryetarit të Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka, të dhëna në emisionin “Puls” të transmetuar në KTV, më datë 24 qershor 2019, ku ndër të tjerash Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, është deklaruar publikisht edhe për punën e Prokurorisë Themelore në Prizren. Më konkretisht, ai në emision ka thënë se ka paraqitur rreth 60 kallëzime penale në Prokurori për çështje të keqpërdorimeve, e që gjithnjë sipas pretendimit të tij, Prokuroria ka ngritur vetëm 3-4 aktakuza. Gjithashtu, z. Haskuka ka përmendur me theks të veçantë se së fundmi kanë dorëzuar edhe tri kallëzime penale përkitazi me “Arkivën elektronike”, aplikacionin “Prizreni i mençur” dhe “Ngrohjen Qëndrore”në Qendrën Rinore në Prizren.
Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, Prokuroria Themelore në Prizren ndjehet e obliguar të sqarojë opinionin se asnjë nga pretendimet e z.Haskuka nuk qëndrojnë. Pasi kemi verifikuar në data bazën e të dhënave të shkrimores së Prokurorisë, është vërtetuar se Komuna e Prizrenit nuk ka dorëzuar 60 kallëzime penale, sikundër pretendon z.Haskuka, por vetëm një njoftim për disa shkelje në lidhje me lejet e ndërtimit. Për të njëjtin njoftim, Prokuroria ka autorizuar menjëherë Policinë që të fillojë me mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave për rastin në fjalë.
Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren, për hir të informimit korrekt të opinionit, konfirmon se asnjëri prej tri rasteve të përmendura nga z.Haskuka (“Arkiva elektronike”, aplikacioni “Prizreni i mençur” dhe “Ngrohja Qëndrore”në Qendrën Rinore), nuk është dorëzuar fare në Prokurori.
Në të njëjtën kohë, sqarojmë opinionin se Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuza për disa nga rastet më të mëdha, ku të akuzuar kanë qenë edhe drejtorët e Drejtorisë së Inspekcionit, për të cilat opinioni është njoftuar me kohë. Po ashtu, edhe rastet e tjera janë në fazën e hetimeve.
Andaj, Prokuroria Themelore e Prizrenit, si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi ligjore dhe Kushtetuese mbetet e përkushtuar për të jetësuar praktikat e mira që mundësojnë efikasitet, llogaridhënie, paanshmëri dhe transparencë në punën e saj, me qëllimin e vetëm për luftimin e çfarë do lloj natyre të kriminalitetit që bie mbi kompetencën dhe përgjegjësinë e kësaj Prokurorie, dhe, në këtë drejtim kërkojmë bashkëpunimin e Kryetarit dhe të zyrtarëve të Komunës së Prizrenit që t’i denoncojnë të gjitha parregullësitë apo shkeljet ligjore me qëllim parandalimin dhe luftimin e veprave penale” thuhët në reagimin e Pokurorisë se Prizrenit “