Prishtina radhitet ndër 6 kryeqytetet më transparente në Evropë

0

Dega e Transparency International në Sllovaki, sot publikoi rezultatet e matjes së transparencës për 26 kryeqytetet evropiane.

Matja në këtë hulumtim është realizuar në dhjetor të vitit 2018 dhe është e bazuar në gjithsej 14 indikatorë. Rezultatet e matjeve e radhisin Prishtinën në kategorinë e kryeqyteteve që kanë përmbushur së paku 75% të pikëve maksimale, si në vijim:

• Gjelbër (kryeqytetet me së paku 75% të pikëve maksimale)
• Portokalltë ( 50-74.9% të pikëve)
• Kuqe (nën 50% të pikëve)

Gjetjet tregojnë që ueb faqet e kryeqyteteve Vilnius dhe Pragë ofrojnë qasje shume të lehtë në informatat lidhur me prokurimin publik. Ndonëse nëntë kryeqytete publikojnë kontratat e prokurimit në ueb faqet e tyre, asnjë nga këto kontrata nuk janë të publikuara në format të qasshëm për shfrytëzim nga qytetarët.

Prishtina dhe Oslo tregojnë praktika të mira të publikimit të buxhetit dhe raporteve të shpenzimeve në format të redaktueshëm (format i të dhënave të hapura). Ndërsa Stokholmi përbën shembullin më të mirë të prezantimit të planifikimeve dhe shpenzimeve buxhetore dhe atë krejtësisht në mënyrë të lehtë dhe të kuptueshme, me infografika e artikuj”, thuhet në njoftimin për media.

Më tej në njoftim theksohet se përderisa nëntë kryeqytete kishin kthyer përgjigje në kërkesën për qasje në dokumente publike, 15 nuk ishin përgjigjur fare, ndërsa dy kishin kthyer përgjigje të pjesshme.

Një shembull i praktikave transparente të punës është qyteti i Berlinit, i cili publikon paraprakisht të gjitha mbledhjet e punës, kalendarin e punës dhe takimeve të kryetarit të komunës për tërë javën.

“Përderisa vetëm pesë kryeqytete publikojnë deklarimet e pasurisë së anëtarëve të asamblesë komunale në ueb faqe (ku në mesin e tyre është edhe Prishtina), këshilli i qytetit të Madridit publikon edhe CV-të e anëtarëve të asamblesë, të dhëna për kualifikimin akademik të tyre, nivelin e zotërimit të gjuhëve të huaja, një përmbledhje të karrierës së tyre të mëparshme, dhe deklaratën e pasurisë – përfshirë të dhënat nga raportet e tatimeve.

Ky hulumtim gjithashtu tregon se 22 nga 26 kryeqytetet kanë të publikuara procesverbalet e seancave. Në këtë matje, në krye të listës është Amsterdam me një sistem arkivi të qartë dhe miqësor. Ndërsa, sa i përket publikimit të shënimeve individuale të votimit, vetëm 11 kryeqytete e bëjnë atë. Prishtina nuk është në mesin e tyre.

Një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit, ku vetëm një (Madrid) nga 26 kryeqytetet e matura e publikon atë. Ky hulumtim ka gjetur se shumë shtete, e në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje për rregullimin e lobimit.

Kodi i Sjelljes së Prishtinës është botuar në një mënyrë më të përmbledhur në tre gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht). Përderisa vetëm 12 nga 26 kryeqytetet e matura kanë kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për qasje në të dhënat lidhur me pagat e kryetarit dhe asamblistëve’, thuhet në njoftim.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projekteve në KDI, tha se konkluzionet e përgjithshme flasin që kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u ofrojnë qytetarëve më shumë qasje në informacion sesa kryeqytetet e vendeve jo anëtare.

Më tutje, ajo shtoi se “Vendet e Evropës Lindore i japin më shumë rëndësi transparencës se sa vendet me demokraci të konsoliduar dhe po tentojnë t’a adresojnë korrupsionin e thellë përmes politikave pro-transparente. Prishtina, Praga dhe Vilniusi janë shembuj të kësaj.”

KDI fton qeverisjen e kryeqytetit të Prishtinës të përqafojë dhe zbatojë praktikat transparente të suksesshme nga kryeqytetet tjera evropiane në mënyrë që të garantojë një informim cilësor dhe të lehtë të qytetarëve të saj. Transparenca si një parim i qeverisjes së mirë është shumë e rëndësishme, dhe duhet të shërbejë si bazë për llogaridhënie të mirëfilltë të të zgjedhurve ndaj qytetarëve./Telegrafi/

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakTaksa e vendosur, detyron ministrin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut të vijë në Kosovë
Artikulli tjetërPunëtori i ndërtimit bie në kontakt me rrymën, dërgohet në QKUK