Shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se Ligji për pagat në sektorin publik nuk respekton parimin pagë e njëjtë për punë të njëjtë.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social Facebook kërkon tërheqjen e Ligjit të Pagave.
Lexoni të plotë postimin e Hotit në Facebook:“Ligji për pagat në sektorin publik nuk respekton parimin “pagë e njëjtë për punë të njëjtë”, apo parimet tjera parapara në nenin 3.
Arsimtarët e shkollës së mesme paguhen sa truproja, i cili përveç pagës merr edhe shtesat për rrezikshmëri. Polici i thjeshtë ka koeficient 2, ndërkaq polici i ri 1.0.
Ligji le hapësirë për caktim të të ardhurave me vendime të organeve të tjera, duke lënë hapësirë që prapë me vendime ekzekutive të krijohen pabarazi në të ardhura.
Me nenin 27, ju ruhen pagat e larta të atyre që për shume vite kanë përfituar shumëfish më shume se vartësit e tyre ose të punësuarit e tjerë. Kjo bie ndesh me qëllimin e këtij ligji, që është harmonizimi i pagave në sektorin publik.
Si i tillë, ky ligj duhet të tërhiqet. Ligji duhet të rishkruhet në konsultim me të gjithë kategoritë e të punësuarve në sektorin publik.
Qeveria duhet të anulojë vendimin për rritje të pagave për vete, sepse ai vendim paraqet konflikt të interesit sipas vlerësimit të Agjencisë Antikorrupcion që është organi i vetëm që vlerëson ligjërisht konfliktin e interesit”. /Telegrafi/