Ka përfunduar takimi i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kandidates për kryeministre në zgjedhjet e fundit nga LDK, Vjosa Osmani.
Pas këtij takimi, Vjosa Osmani, në një prononcim për media ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar në nivel të parimeve për bashkëqeverisje.
“Diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes tani pas një procesi të mirë zgjedhor që kaluam. Sot kemi diskutuar më shumë në nivel të parimeve, jo detajeve. Por, me rëndësi është që të dyja partitë treguam vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe për të punuar në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo, përcjell Telegrafi.
Osmani ka thënë se është diskutuar për numrin e ministrive dhe punës në interes të qytetarëve.
“Ka disa gjëra me të cilat filluam diskutimet tona kryesisht sa i përket një qeverie e cila do të reduktohet sa i përket numrit të ministrive por, do të rritet sa i përket punës së mirë në interes të qytetarëve. Është me rëndësi të presim numërimin e të gjitha votave para se ta arrijmë marrëveshjen finale por ka vullnet të mirë nga të dyja palët që marrëveshja të arrihet”, është shprehur Osmani.
E pyetur se kush do ta marrë pozitën e kryeministrit, ajo ka thënë se kjo do të konfirmohet kur të numërohen të gjitha votat.
“Ne si LDK e kemi deklaruar edhe më parë që po presim rezultatin final dhe nëse rezultati konfirmohet kushdo që ka marrë më shumë vota, ne nuk do të hezitojmë që në bashkëqeverisje kushdo që ka fituar ta marrë pozitën e kryeministrit. Ndërsa ku do të jem unë është vendim që do ta marrë në bashkëpunim me partinë”, ka thënë Osmani.
Ndërsa lideri i VV-së, Albin Kurti, ka thënë se pritjet e qytetarëve janë të larta dhe nuk duhet humbur kohë.
“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë të larta. Ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët që ta zbatojmë për qeverinë sa më efikase dhe për shtet sa më të fuqishëm. Synimi ynë është t’i dalim Zot nevojave të qytetarëve, të respektojmë të drejtat e tyre dhe ta orientojmë shtetin nga zhvillimi, demokracia, si dhe mirëqenia për të gjithë”, ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se në këtë qeverisje do të ketë përfshirje të grave 30 për qind.
“Jemi dakorduar të kemi një dysheme prej 30 për qind të përfaqësimit gjinor ku do të jenë 30 për qind gra edhe në mesin e ministreve dhe zv. ministreve. Do të kemi shumë më pak ministri dhe zv.ministra. Do të kemi më shumë angazhim dhe punë. Ekipet tona do të takohen për të harmonizuar programet tona dhe të dakordohen për programet tona. E uruam njëri tjetrin për gjithçka, dhe besoj që do të na shkojë mbarë e mirë. sepse jemi pajtuar të qeverisim bashkë. Nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm, dhe për pozita që do të jenë ose të LVV-së ose të LDK-së, sepse duhet të presim numrimin e të gjitha votave”, ka thënë Kurti./Telegrafi/