KONJUFCA PËR ‘STUTTGARTER ZEITUNG’: POLITIKA E JASHTME NË KRIZË, SERBIA PO BËNË FUSHATË AGRESIVE

0

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për gazetën gjermane “Stuttgarter Zeitung” mbi problemet me të cilat ballafaqohet Kosova në politikën e jashtme, mbi ikjen e kosovarëve nga vendi dhe mbi shtetin e BE-së që mban qëndrimin më ekstrem ndaj Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i cili është përgjegjës edhe për diasporën, e ka zgjedhur Stuttgartin për të marrë pjesë në një aktivitet me rastin e përvjetorit të 12-të të pavarësisë së Kosovës. Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e landit të Baden-Württembergut Konjufca i dha një intervistë gazetës “Stuttgarter Zeitung”. Konjufca u shpreh i shqetësuar me largimin e qytetarëve nga Kosova. Në Gjermani, tha ai, jetojnë mbi 400 mijë kosovarë “dhe prej tyre më shumë se 100 mijë në landin e Baden-Württembergut”.

“Dëshiroj që largimi nga Kosova të reduktohet. Po përpiqemi t’i përmirësojmë kushtet e jetës”, tha Konjufca. Ai përmendi një problem thelbësor: Kosova investon në arsimimin e njerëzve dhe nga aftësitë e tyre pastaj përfitojnë shtete të tjera – “kjo është një humbje e madhe për vendin tonë”. Me probleme të ngjashme po ballafaqohen gati të gjitha vendet e Ballkanit dhe Europës Lindore.

Konjufca foli edhe për problemet e trashëguara në raport me Serbinë. “Qeveria jonë ka nisur punën më 4 shkurt. Politika e jashtme viteve të fundit ka qenë në krizë të madhe. Kemi një fushatë agresive të Serbisë, e cila ka për qëllim që vendet të tërheqin njohjen e Kosovës. Bëhet fjalë për 15 shtete, shumica në hapësirën e Paqësorit dhe në Afrikë”.

Konjufca deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e ndërsjellë të pengesave tregtare mes Kosovës dhe Serbisë. Por, shtoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Serbia po e pengon Kosovën në shumë fusha, për shembull duke mos pranuar dokumentet kosovare. Konjufca tha se dialogu nën patronazhin e BE-së duhet të vazhdojë. Sa i përket shteteve të BE-së që nuk e kanë pranuar Kosovën, kryediplomati kosovar tregoi se ka dallime: me Greqinë raportet janë të mira, ky shtet i pranon pasaportat e Kosovës, me Sllovakinë raportet janë në rregull, Spanja dhe Qiproja “përpiqen të na vendosin pengesa”. “Më ekstremja është Qiproja”, tha Konjufca.

Sa i përket ideve për bashkimin me Shqipërinë, Konjufca tha: “Nuk mund ta parashikoj adhmërinë, nuk e di se çka ndodhë pas disa dekadave. Tani është me rëndësi t’i thellojmë raportet e mira. Për këtë po punojmë”.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakVV-LDK MARRIN UDHËHEQJEN E KOMISIONEVE TË PËRHERSHME, NË TË KALUARËN ATO DREJTOHESHIN NGA OPOZITA
Artikulli tjetërAGJENTI I HYSAJT E ZBULON KUSH I ‘SHKATËRROI’ KARRIERËN YLLIT SHQIPTAR