Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën një muaj arrest shtëpiak kundër RR.M., për shkak se dyshohet të ketë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe legalizim i përmbajtjes së pavërtetë, derisa nga një muaj paraburgim u ka caktuar dy të pandehurve tjerë M.A. dhe A.M., për shkak të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë dhe mashtrim.
Sipas njoftimit, Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kriteri ngase ekzistojnë rrethana të cilat tregojnë rrezikun e ikjes nga ana e të pandehurve.
Po ashtu, gjykata ka konstatuar se janë plotësuar kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit për të pandehurit M.A dhe A.M., pasi ka arsye për të besuar se këta të pandehur po të gjenden në liri mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo falsifikojnë provat e veprës penale.
“Palët kundër këtij aktvendimi mund të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.