Arrestohet avokati që raportoi rastin e vajzës nga Drenasi

0

Policia e Kosovës ka arrestuar avokatin Gazmend Halilaj, i cili rreth dy javë më parë kishte sinjalizuar abuzimin seksual të nxënëses nga Drenasi.

Rasti i Drenasit i cili tronditi Kosovën me 5 shkurt, ku dyshohej se një vajzë 17 vjeçare ishte përdhunuar nga mësuesi i saj e pastaj edhe nga polici hetues, po qet në dritë fakte të reja të cilat hedhin hije dyshimi se ky rast mund të mos jetë ashtu siç është raportuar.

Indeksonline ka marrë vesh se avokati  Gazmend Halilaj i cili pretendon ta ketë zbuluar rastin e abuzimit seksual të vajzës, ka qenë vetë avokat i mësuesit Sh.Xh.

Ai kishte qenë avokat mbrojtës i mësuesit kur vajza e kishte akuzuar atë për abuzim seksual. Policia për këtë rast kishte ngritur kallëzim penal në prokurori më 20 shtator të vitit 2017.

Në atë kohë mësuesi Sh.Xh., e kishte angazhuar një avokat mbrojtës, dhe është pikërisht avokati Gazmend Halilaj i cili i kishte dalë në mbrojtje mësuesit Sh.Xh.

Më 11 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishte mbyllur rastin pasi që vajza në prezencë të babait të saj dhe përfaqësuesit ligjor dhe mbrojtësit të viktimave, e kishte tërhequr deklaratën ndaj mësuesit duke thënë se kishte gënjyer se ishte abuzuar nga mësuesi Sh.Xh. e ku me këtë rast prokuroria kishte pushuar ndjekjen ndaj mësuesit.

I kontaktuar nga Indeksonline, avokati Gazmend Halilaj pranon se ka qenë avokat i mësuesit Sh.Xh., por lutet të mos dal ky fakt në media pasi që kjo mund ta dëmtoj reputacionin e tij dhe mund të keqkuptohet në këtë fazë.

“Po është e vërtet që kam qenë avokat i mësuesit në atë kohë, dhe klienti im Sh.Xh., nuk ka qenë fajtor për veprën për të cilën është akuzuar dhe prokuroria nuk ka gjetur prova dhe me plotë të drejtë i ka pushuar hetimet pasi që edhe vet vajza në prezencë të babait të saj e ka tërhequr padinë para prokurores”, ka thënë avokati Halilaj për Indeksonline.

Ai tani thotë se rastin e fundit nuk e ka paraqitur për ta dëmtuar mësuesin por policin V.V.

“Unë asnjë fjalë kur e kam paraqitur rastin nuk e kam thanë për mësuesin, unë e kam raportuar rastin për policin dhe për krimin që ka ndodhur në stacionin  policor të Drenasit”, ka deklaruar ndër të tjera ish mbrojtësi i mësuesit.

Avokati Gazmend Halilaj mohon të ketë thënë ashtu siç është raportuar  në media se vajza është zhveshur në stacionin policor nga ana e policit hetues dhe përmes kësaj polici V.V., ka arritur ta shantazhojë vajzën e ku më pas e kishte përdhunuar.

“Jo, jo unë nuk kam thanë kështu ato nuk e di unë kush i ka thanë”, është përgjigjur avokati Gazmend Halilaj.

Javën e kaluar lidhur me rastin e Drenasit policia me urdhër të prokurorisë ka arrestuar mësuesin Sh.Xh, policin V.V., dhe mjekun F.A. Që të treve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji derisa hetimet përkitazi me këtë rast janë duke u zhvilluar me intensitet nga organet e drejtësisë. Ndërsa së fundi prokuroria ka njoftuar se ka nisur hetimet edhe ndaj vajzës për deklarim të rrejshëm ndaj profesorit Sh.Xh. / Indeksonline.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakNë Istog digjet ushqimi i bagëtive
Artikulli tjetërKryetari Haki Rugova, priti në takim Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Rasim Demirin