Aktakuzë për pastrim të parave dhe shmangie nga tatimi

0

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër gjashtë personave R.M., M.M., Xh.K., V.M., F.M dhe R.K., për veprat penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, nën paragrafin 1.2, nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3 nën paragrafi 3.1., të Ligjit Nr. 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin 31 të KPRK-së, si dhe për “Shmangie nga tatimi” e sanksionuar me nenin 313, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Të pandehurit R.M., dhe M.M., nga viti 2010 e deri në 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë,  kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale. Me këto veprime të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së lidhur me nenin 56 paragrafin 1 nën paragrafin 1.1, nën paragrafin 1.5 dhe paragrafin 3 nën paragrafin 3.1 të Ligjit Nr. 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin.31 të KPRK-së.

Të pandehurit F.M., Xh.K., V.M dhe R.K., nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, kanë konvertuar dhe transferuar pasurinë, ashtu që kanë kryer transaksione të shumta huazimi për qëllim të maskimit dhe shtresimit të mjeteve financiare të siguruara nga shmangia tatimore dhe aktiviteti kriminal, kanë transferuar shuma parash mes xhirollogarive të tyre me përshkrime të ndryshme si huazim dhe kthim huazimi.

Të pandehurit F.M., Xh.K., V.M dhe R.K., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2, nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3, nën paragrafi 3.1, të Ligjit Nr. 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të pandehurit R.M., M.M., F.M., Xh.K., V.M., dhe R.K., dyshohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara më ligj, nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga neni 313, paragrafi, 1, paragrafi 2 dhe paragrafi 3 të KPRK-së, si dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej  459.738.80 euro.

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakHoti: Qeveria PAN do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë për nga numri i ministrave e zëvendësministrave
Artikulli tjetërAGK reagon ndaj gjuhës së PDK-së drejtuar Gazetës Express