Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ia ka kthyer letrën presidentit të SHBA-së Donald Trump, pasi vitin e kaluar kishte marrë një letër nga shefi i shtëpisë së bardhë ku Kosova inkurajohej të bëjë marrëveshje me Serbinë. Thaçi e ka ftuar Trumpin në Kosovë duke e siguruar se është i gatshëm të bëjë kompromise gjatë bisedimeve me Serbinë. Në letër përmendet tërthorazi taksa e vendosur ndaj Serbisë nga Qeveria Haradinaj, e cila aktualisht po i mban të bllokuara bisedimet.
Presidenti kosovar është zotuar se do ta kryejë pjesën e tij të punës dhe do të apelojë te qytetarët që të ndjekin thirrjen e bërë nga presidenti Trump.
Në letrën e dhjetorit shkruhet se “do të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”.
Thaçi e ka siguruar presidentin Trump se është i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, e cila do t’i përfshinte të gjitha çështjet e hapura dhe do i jepte fund konfliktit shekullor me Serbinë.
Kjo është përmbajtja e letrës së presidentit Thaçi dërguar presidentit Trump:
I nderuar z. President, Më lejoni të filloj duke ju dëshiruar juve dhe familjes suaj gëzuar Vitin e Ri dhe shumë suksese në vitin 2019.
Populli i Kosovës dhe unë jemi veçanërisht të gëzuar me letrën që më keni dërguar më 14 dhjetor 2018, në të cilën shprehni përkrahjen e palëkundur të Amerikës për Kosovën “e pavarur dhe sovrane”.
Siç kemi diskutuar në Paris – dhe siç u kam shpjeguar më në detaje Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, gjatë vizitave të mia të paradokohshme në Uashington – pajtohem me ju se një marrëveshje që do të zgjidhte të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë është afër tani.
Prandaj, më lejoni t’ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëjë kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë.
Më lejoni të nënvizoj, z. President, karakterin historik të kësaj për të cilën po flasim këtu. Marrëveshja e arritur nuk do të jetë paqe e përkohshme apo konflikt i ngrirë. Ne po mundohemi të dalim nga ky qark dhe të arrijmë një marrëveshje permanente në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti dhe sipas të cilës Kosova bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Një arritje e tillë historike kërkon angazhim maksimal nga të dyja palët. Unë zotohem se do të kryej pjesën time të punës. Do u apeloj bashkëqytetarëve të mi kosovarë që të ndjekin thirrjen që keni bërë në letrën e dhjetorit që “të flasin me një zë gjatë bisedimeve për paqe dhe të përmbahen nga veprimet që do të bënin një marrëveshje më vështirë të arritshme”.
I gëzohem mundësisë që të bashkëpunojmë ngushtë me ju dhe me shumë miq tonë në Shtetet e Bashkuara në zhvillimin e kësaj iniciative diplomatike. Dhe, siç keni sugjeruar me zemërgjerësi, nuk ka mënyrë më të mirë për të celebruar suksesin tonë se sa të ndjekim lidershipin tuaj dhe t’ju bashkohemi në Shtëpinë e Bardhë, ku paqja dhe historia krijohen bashkë.
Në fund, më lejoni të shfrytëzoj këtë mundësi dhe t’ju ftoj për të vizituar Kosovën, të takoni popullin më proamerikan dhe amerikanët që shërbejnë në Kosovë, si dhe të bëheni dëshmitar i suksesit tonë të përbashkët në ndërtimin e një Kosove shumetnike, e përkushtuar për paqe, liri dhe drejtësi.
t