Krasniqi: E habitshme, numri i votueseve në KQZ më i lartë se numri i banorëve

0

Në listën e votuesve në KQZ-së, numri i banorëve me të drejtë vote është më i madh se numri i popullsisë në Kosovë.

Dhe kjo çështje po e habitë edhe kryeshefin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqin.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, thotë se në bazë të vlerësimit të numrit të popullsisë të vitit 2018, Kosova ka një popullsi prej 1 milionë e 795 mijë banorë dhe nëse merret parasysh kontingjenti i votuesve potencial që janë diku përafërsisht prej 1 milionë e 800 mijë votues, del që ka më shumë votues sesa popullsi rezidente në Republikën e Kosovës.

Edhe pse ka marrë përsysh numrin e diasporës, sipas tij, ka një shifër më të madhe të listës së votuesve në krahasim me popullsinë rezidente në Republikën e Kosovës deri më 31 dhjetor 2018.

Ndërsa, në bazë të të dhënave të KQZ -së për zgjedhjet e fundit të vitit 2017, numri i votuesve të regjistruar ishte 1 milionë e 888 mijë e 59 me një pjesëmarrje në zgjedhje 779 mijë e 729 votues ose 41.3%.

“Trupa e popullsisë rezidente ose trupa e votuesve potencialë rezidentë, kur e heq grupmoshën 0 deri 18 vjeç, atëherë është një numër prej 1 milionë e 272 mijë e 226 votues potencialë. Por keni parasysh se në listën e Komisionit Qendror Zgjedhor janë të evidentuar çdo kush që ka të drejtë vote edhe prej popullsisë jorezidente që është e vendosur kudo në botë, që jeton jashtë Republikës së Kosovës”, thotë Krasniqi.

Alarmante për kryeshefin e ASK-së, Isa Krasniqi është rënia e numrit të popullsisë në Kosovë.

Krasniqi thotë se numri i banorëve po bie në vazhdimësi në bazë rënies së lindshmërisë, vdekshmërisë dhe emigrimit të popullsisë.

“Në krahasim me vitin 2017, kemi një zbritje (rënie) diku përafërsisht prej 2 mijë banorëve në Republikën e Kosovës. Pra, kemi një popullatë në rënie. Por kontingjenti i lindshmërisë ka një rënie, dhe kemi theksuar se është një alarm për Republikën e Kosovës, sepse rënia e lindshmërisë ndikon shumë pastaj në politika tjera sidomos në aspektin ekonomik e social që ka një ndikim esencial. Kjo është me rëndësi për të marrë parasysh edhe me politika për periudha më afatgjate. Pastaj, nëse kemi edhe emigrim të popullatës jashtë dhe shtim të vdekshmërisë, sepse kontingjenti i moshës së vjetër vjen duke u rritur dhe kjo pastaj determinon zbritjen”, thotë ai. /kp/Telegrafi/

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakGjakovë: Zjarri përfshin qindra hektarë me pyje
Artikulli tjetërMustafa: Zgjedhje të vërteta janë vetëm ato, për fatin e të cilave vendosin qytetarët dhe jo koalicionet parazgjedhore