Me një manifestim solemn dhe aktivitete të tjera të shumta sot u kremtuar Dita e Çlirimit – 20 vjetori i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Manifestimet e sotme i bënë edhe më madhështore me pjesëmarrjen e tyre ish-presidenti i SHBA, Bill Clinton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, ish-komandanti i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark dhe personalitete të tjera ndërkombëtare dhe figura të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova.
Këto aktivitete u organizuan nga zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në bashkëpunim me ish presidenten, Atifete Jahjaga, por aty nuk ishte ish-kryeministri dhe kreu i partisë më të madhe opozitare në vend, Isa Mustafa as kryetari i LVV-së, Albin Kurti.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një deklaratë dhënë Telegrafit ka thënë se Mustafa nuk ka pasur ftesë as si kryetar i LDK-së e as si ish-kryeministër.
“Nuk ka pasur ftesë, as si kryetar i LDK-së e as si ish kryeministër. Nuk jam i sigurt pse ka ndodhur kjo, por nuk kemi dashur të reagojmë, ta bëjmë temë këtë, kur sot në Kosovë ka pasur kaq shumë personalitete ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Ndërsa Albulena Haxhiu nga LVV ka thënë për Telegrafin se kanë pasur ftesa.
“Po kemi pasur ftesa. Disa prej deputeteve kanë qenë të pranishëm në organizimet shtetërore”, ka thënë ajo.
Lidhur me mungesën e përfaqësuesve të opozitës në manifestimet dhe takimet e sotme me mysafirët amerikan, ka reaguar edhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit Isa Mustafa, Faton Abdullahu.
Abdullahu, përmes një postimi në Facebook, thotë se “përfaqësuesit opozitarë sot është dashur të ulen në rendin e parë, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve. Ata është dashur të jenë në të gjitha takimet me mysafirët amerikanë”.Lexo po ashtu:
Faton Abullahu: Pse nuk u ftua opozita në manifestimet e 20-vjetorit të lirisë?
“Ku ishte sot opozita. Në të gjitha manifestimet e sotme nuk e pash asnjë opozitar. Nuk i pash une apo nuk ishin aty? Pse nuk janë ftuar ata? Mua kjo më duket absurde. Si ka mundësi? Përfaqësuesit opozitarë sot është dashur të ulen në rendin e parë, bashkë me përfaqësuesit e institucioneve. Ata është dashur të jenë në të gjitha takimet me mysafirët amerikanë. Ata përfaqësojnë shumë qytetare të Kosovës. Në të vërtetë në rastin aktual, shumicën. Në çdo vend normal demokratik manifestime të kësaj natyre i bënë bashkë të gjithë, pozitë-opozitë. Nuk kam informacione, as që e di pse dhe si ka ndodh kjo. Por nuk është hera e parë. Mungesë kulture shtetndertuese. Ndërkëmca, gjelozi, anashkalime etj. Kjo traditë e keqe duhet të ndryshoj. Marre” (sic.), ka shkruar Abdullahu.
Kurse në ceremonitë e nisura që nga paradita, përvec udhëheqësve amerikanë morën pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.
Edhe zëvendës ndihmës sekretari amerikan, Matthew Palmer, mbajti fjalim sot në ceremoni, duke përmendur se Kosova duhet të arrijë marrëveshje me Serbinë. /Telegrafi/