Ka vështirësi në Kompleksin ‘Adem Jashari’ dhe ‘Ibrahim Rugova’

0

Drejtues të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, kanë njoftuar se së shpejti do të fillojnë puna në konservimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Kurse, në Kompleksin Memoriali “Ibrahim Rugova”, janë disa probleme rreth menaxhimit, shpronësimit, prioriteteve dhe projekteve. Kështu ka thënë drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Bislim Zogaj, para komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku u shqyrtua raporti vjetor i kësaj agjencie për vitin 2018.

Sipas Zogajt, janë në përfundim të projektit të Mejës, por edhe në projektin në Koshare po shkojnë punët mirë.

“Shqetësimet më të mëdha që janë tani të Agjencionit janë kompleksi memorial Adem Jashari dhe Kompleksi Memorial Ibrahim Rugova në Prishtinë. Këto dyja për momentin i kemi me disa vështirësi. Problemi për kompleksin Adem Jashari besoj që është në rrugë të mirë për t’u zgjedhur sepse tani kemi edhe ligjin e veçantë dhe sipas ligjit është formuar edhe komiteti ndërministror dhe ata kanë filluar punën dhe besoj që shumë shpejt do të fillojnë punën rreth konservimit të shtëpive të rezistencës. Kurse, projektin që për momentin e kemi pak më problematik është memoriali Ibrahim Rugova ku kemi disa probleme rreth menaxhimit, shpronësimit, prioriteteve dhe projekteve për këtë memorial por besoj që edhe këtë memorial gjatë këtij viti do ta rregullojmë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se si Agjenci kanë probleme me shpronësimin e pronave ku duan të ndërtojnë ndonjë shtatore apo kompleks.

Anëtarja e komisionit Besa Gaxherri tha se edhe ata si deputet kanë presion për kompleksin memorial “Adem Jashari’, dhe para kësaj duhet të jetë një auditor si janë investuar 9 milionë euro.

“Ta keni një auditor dhe të auditon 9 milionët e shpenzuara në kompleksin Adem Jashari, sepse pa hezitim e them se janë shumë mjete e që unë kam shkuar dhe kam parë aty janë shumë pak investime”, ka thënë ajo.

Kurse, anëtarja Ganimete Musliu tha se vet fakti që nuk dihet një datë se kur do të nis konservimi në Prekaz, mund të thuhet se nuk po bëhet asgjë.

“A ka mëndu Agjencioni që në të ardhmen ta kemi një memorial të përbashkët ku do të jenë të shkruar të gjithë emrat e atyre njerëzve që janë masakruar në mënyrë më të tmerrshme dhe të bëhet një ditë e veçantë ku do të kujtohen të të masakruarit, të gjithë të rëndët, martirët të martirizuar për lirinë e Kosovës”, tha Musliu.

Zogaj i tha deputetëve se nuk ka kompetencë që të hetoi të kaluarën por kushdo që dëshiro të nis hetimin e ka derën hapur në agjenci.

Komisioni nuk ka miratuar raportin e Agjencionit, me arsyetimin se raporti ka mangësi në regjistrimin e aseteve./ Kallxo.com

(Kallxo.com)

SHPËRNDAJE
Artikulli paraprakQEVERIA E KOSOVËS NDAU 20 MIJË EURO PËR KATEDRALEN NOTRE DAME
Artikulli tjetërNë Dardani kanë mbetur të vdekur tre persona