Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Projektligjin që ndalon të gjitha lojërat e fatit në afat prej 10 vitesh, me përjashtim të Lotarisë së Kosovës. E pronari i 14 kazinove, po e konsideron këtë si një vendim të pakuptimtë.
Ruzhdi Kosumi, që drejton 14 biznese të tilla, ka folur për Reuters, ku e ka quajtur vendimin e Qeverisë si të pakuptimtë, derisa ka shtuar se kjo vetëm sa do e rritë papunësinë.
“U mor ky vendim pasi 2 punëtorë të kazinos u vranë. Kjo është e pakuptimtë. Humbëm njerëz, por tani po humbim edhe punën”, ka thënë Kosumi
Tutje, ai ka shtuar se 40 punëtorët e tij që punonin nëpër kazinot që i posedon, tani kanë mbetur pa punë.
Veç tjerash, Reuters në artikull thekson se kjo industri është rritur shumë shpejtë në Kosovë përgjatë 10 viteve të fundit. Derisa, ka shkruar edhe për 2 vrasjet e fundit që ndodhën në dy kazino, në Suharekë dhe Lipjan.
“Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do t’i ndalojë lojërat e fatit për 10 vjet, pas vdekjes së dy punëtorëve të kazinove këtë muaj, gjatë grabitjeve të armatosura në dy qytete”, shkruan tutje agjencia e lajmeve.
Ndryshe, ngjarjet e fundit në vendin tonë kanë ngjallur reagime të shumëta në opinionin publik, të cilët po ashtu, kishin kërkuar mbylljen e menjëhershme të lokaleve të kazinove./Gazeta Ekspress