E mitura nga Kaçaniku zhduket për herë të dytë, flet babai i saj

0

V.G, 16 vjeçare nga një fshat i Kaçanikut ka dal nga shtëpia të hënën në mëngjes rreth orës 08:00 dhe nuk është kthyer më.

Babai i saj, Agroni në një prononcim për Telegrafin tregoi se ikja e vajzës nga shtëpia është e paarsyeshme.

Siç tha ai, e mitura ka ikur para disa dite nga shtëpia dhe është gjendur para dy ditësh në kufirin Kosovë-Shqipëri, në tentim për të kaluar kufirin.

Mirëpo, siç tha ai në mungesë të dokumentacioneve policia e ka ndaluar dhe të njëjtën e ka dërguar kthyer në familje.

Babai i vajzës tha se e bija është shumë agresive dhe nuk e vijon mësimin, pasi shkolla e ka përjashtuar atë.

“Momentalisht jam me vëllanë duke e kërkuar, Policia gjithashtu po e kërkon. Nuk e di çka po ndodh me të. Të dielën e kemi gjetur në kufi me Shqipërinë. Policia e ka gjetur duke dashur ta kaloj kufirin por s’ka pas dokumente. Të hënën në mëngjes ka ik sërish nga shtëpia. E kam pyetur pse po bën kështu, nuk më ka treguar. Vajza nuk është mirë me shëndet, ka shumë stres, është agresive në çdo send me të gjithë ne. Vajza ka qenë në shkollë dhe e kanë përjashtuar pasi është nguc me një vajzë atje. Vajza tash e ka me veti certifikatën e lindjes”, ka thënë  ai.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi tha për Telegrafin se policia është në kërkim të vajzës, deri në gjetjen e saj.

“Rasti është lajmëruar para disa ditësh në polici, ku policia  e ka gjetur vajzën në Prizren. E kanë dërguar tek familja e saj. Mirëpo ajo dje prapë ka dal nga shtëpia. Tash jemi duke  e kërkuar. Është rast i përsëritshëm”, ka thënë Gashi.

Të gjithë ata që kanë informacione për vend ndodhjen e Violës, të lajmërojnë në numrin +38345/612-208.